Duket se kriza ishte kaq shkatërruese saqë askush nuk deshi që të vazhdonte. BBC ka vendosur të tërhiqet dhe të kërkojë kthimin e Geri Linekerit në ekran pas një polemike të ashpër lidhur me emigrantët. Ky rikthim mund të ndodhë ditët në vazhdim. Mediat britanike njoftojnë se shefi i lartë i televizionit publik, Tim Dejvi, ka vendosur të kthehet nga Shtetet e Bashkuara për të mbajtur bisedime me legjendën e futbollit. Më herët, Dejvi ishte shprehur se ndihej shumë i keqardhur për konfliktin dhe për mënyrën sesi kishin rrjedhur ngjarjet. Lineker u largua nga ekrani pas mesazhit të tij në rrjetet sociale ku krahasoi politikën me emigrantët të Ministrisë së brendshme britanike me atë të Gjermanisë Naziste.
Pas kësaj, edhe opinionistët Alan Shirer dhe Jan Rajt vendosën të largoheshin, në shenjë solidariteti me Linekerin, dhe mësohet se është larguar edhe drejtuesi tjetër i emisionit, Mark Çapman. Në lojë ka hyrë edhe politika, pasi partitë e opozitës, laburistët dhe liberalët kërkojnë dorëheqjen e presidentit të BBC-së, Riçard Sharp. Ky i fundit jo vetëm që akuzohet për politikë të krahut të djathtë me largimin e Linekerit, por prej disa javësh ka një çështje ndaj tij për dhurimin e qindra mijë paundëve për Partinë Konservatore në pushtet.
E gjithë historia nisi pas vendimeve dhe deklaratave të Ministrisë së Brendshme britanike për emigratët e paligjshëm që kalojnë La Manshin me varka të vogla për të jetëar në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria ka vendosur të kthejë të gjithë refugjatët, një pjesë e madhe e të cilëve janë shqiptarë.
Sfidanti.al