Një përballje që nisi me ngjyrat e kuqe dhe përfundoi me to. Ishte një derbi ndryshe nga ata të viteve të fundit, që më shumë kanë folur për Tiranën, dhe këtë herë Partizani ia doli madje me meritë. Jo më kot thuhet se në derbi nuk ka favoritë, se mund të fitojë skuadra që është më dobët, dhe kjo u vërtetua pasi të kuqtë erdhën pas humbjes me Vllazninë në Kupë, që është gati eliminim, dhe duke qenë prapa bardhebluve në renditje.
Kjo nuk ndikoi aspak, ndërsa Mba dhe Cara shënuan golat për ekipin e trajnerit Kolela. Përballja pati shumë gjëra, pati penallti të dhënë e të hequr për Tiranën, penallti të dhënë e të pritur për Partizanin, gol të anuluar për kampionët, shtyllë të të kuqve, dhe raste për të dyja palët. Partizani më në fund pati vazhdimësi në duelet Brenda kryeqytetit, duke fituar të dytin radhazi. Me këtë sukses, të dyja skuadrat barazohen në krye të renditjes me nga 40 pikë, ndërsa fare pranë është Egnatia me 37 pikë dhe Vllaznia me 36.
Sfidanti.al