Dihej se mjaftonte një kombinim rezultatesh që gjithçka të ndryshonte. Pavarësisht nga këmbëngulja e trajnerit Xhovani Kolela se Partizani i tij nuk bën për titull, sërish situata është e tillë që të kuqtë janë plotësisht në garë. Pas humbjes së Tiranës në fushën e Vllaznisë një ditë më parë, kryeqytetasit përfituan duke fituar në fushën e Bylisit. Suksesi në Ballsh ishte më minimali i mundshëm, 1-0, me golin e shënuar nga Mensah, dhe tani Partizani ka 34 pikë, po aq sa shkodranët, dhe vetëm tri pikë më pak sesa kampionët që kryesojnë.
Kur mbeten edhe 15 javë deri në fund, gara për titull i takon të treja skuadrave. Duhet thënë se ekipi i Kolelës e meritoi fitoren e madje duhej të kishte shënuar më shumë, por pengesë u bë portieri Aldo Teqja, i huazuar pikërisht nga Partizani. Në një moment, ishte shtylla që i erdhi në ndihmë skuadrës nga Mallakastra. Fitorja në një fushë të vështirë mund të cilësohet si një nxitje e fortë morale për Partizanin që kishte marrë vetëm 2 pikë në 5 ndeshjet e fundit. Jo më kot, ky ishte triumfi i parë për këtë vit.
Sfidanti.al