Edhe ka, edhe priten lëvizje. Dy prej futbollistëve kryesorë shqiptarë që luajnë në ligat europiane, pritet të ndryshojnë skuadër në janar. Fjala është për Myrto Uzunin në Spanjë dhe Kristjan Asllanin në Itali. Sulmuesi që luan për Granadën ka tërhequr interesimin e dy prej klubeve të La Ligës spanjolle, siç raportojnë mediat. “Estadio Deportivo” shkruan se Sevilja dhe Betisi pritet të bëjnë derbi për 27-vjeçarin nga Berati, që është Këpuca e Artë virtuale e ligës së dytë me 11 gola. Granada i rinovoi kontratën yllit kuqezi, por vështirë që kjo ta ndihmojë kundrejt ofertave nga elita. Klubi i tij kërkon 18 milionë euro për kartonin e Uzunit në rast kalimi në La Ligë.
Po në këtë kampionat mund të shkojë Kristjan Asllani. Mesfushori 20-vjeçar i Interit mund të jetë pjesë e një operacioni shkëmbimi mes zikaltërve dhe Valencias. Trajneri interist, Simone Inzagi, besohet se pëlqen lojtarin e krahut të Valencias, Tieri Korrea, ndërsa spanjollët do të pëlqenin që të merrnin Asllanin. Për këtë operacion që përfshin yllin kuqezi shkruan “El Desmarke”.
Sfidanti.al