Nojeri thotë se Gjermania humbi ndeshjen më të rëndësishme të grupit!

Kapiteni ishte shumë i mërzitur pas sfidës dhe padyshim as që e mendonte disfatën. Manuel Nojer u tregua në nivel të lartë nga ana personale, duke bërë disa pritje ndaj Japonisë, por Gjermania në fund doli nga fusha me kokën ulur. “Duhet të përmirësojmë mjaft gjëra, – tha ai, – ne tani jemi nën presion. Për mendimin tim, ne humbëm ndeshjen më të rëndësishme të grupit. Tani duhet të tregojmë fytyrë tjetër ndaj Spanjës, kundërshtarit më të fortë. Ne duhet të japim gjithçka dhe të shfaqim potencialin tonë në fushë”. Mediat gjermane shkruajtën se rezultati 1-2 nuk duhej të ishte ndonjë surprizë e madhe, pasi vërtet Gjermania dominoi lojën, por mbrojtja ishte në nivel tmerrësisht të ulët. Ilkai Gyndogan kaloi gjermanët në avantazh në ndeshjen e grupit E, por Ricu Doan dhe Takuma Asano përmbysën rezultatin në minutat 75’ dhe 83’.

Sfidanti.al