Në mbrëmjen që vajzat bavareze e nisën Championsin me fitore, një 2-1 në Mynih ndaj Rozengardit, skuadra e djemve vuri nderin në vend në Augsburg. Jo më kot mediat e Landit shkruajtën se “Bajerni vrau demonët në atë stadium dhe u kualifikua me stil në 16 më të mirët e Kupës”. Suksesi ishte 5-2, edhe pse Augsburgu ishte aq i fortë sa që ta trondiste superekipin e trajnerit Nagelsman duke kaluar i pari në avantazh. Pasi Pederseni tundi rrjetën për vendasit që në 9’, Çupo-Motingu, Kimihu dhe sërish Çupo-Motingu përmbysën shifrat në 3-1. Gjithsesi, autogoli i Upamekanos bëri që të kishte sërish ndeshje dhe ankth derisa Musiala realizoi për 4-2 në 74’ dhe Dejvis shënoi të pestin në kohën shtesë. Nuk pati të papritura pra në “pokal”, diçka që ka ndodhur shpesh dhe Bajerni i mban mend mirë “turpërimet”. Gjithsesi, ka ende shqetësime pasi mediat në Bavari shkruajnë se ekipi krijon shumë raste, por shënon … pak (5 gola), duke bërë sërish me faj faktin se mungon një numër 9 i vërtetë me përjashtim të Çupo-Motingut dhe të riut Tel.
Sfidanti.al