Jo më kot cilësohet sfida më e madhe e Europës. Një Real-Barcelona është derbi i derbeve, e ka emrin “El Klasiko”, ndërsa sot është parashikuar të luhet shumë herët, në orën 16:15 në stadiumin “Santiago Bernabeu” të Madridit. Reali është padyshim favorit, duke qenë zot shtëpie e duke pasur praninë e rreth 80 000 tifozëve në tribuna, ndërsa është kampion i Spanjës dhe i Europës në fuqi. Gjithsesi, për El Klasikon nuk mund të bëhet parashikim dhe mjafton të kujtojmë se sezonin e kaluar, Barcelona fitoi 4-0 brenda në Madrid. Skuadra e trajnerit Karlo Ançeloti nuk do të ketë portierin titullar, Kurtua, por pjesa tjetër e lojtarëve është gati, ndërsa fillimi i vitit është i mirë në kampionat dhe në Champions.
“Kjo ndeshje nuk është për jetë a vdekje, – tha italiani, – është një sfidë e veçantë, është El Klasiko, dhe për tifozët është dueli kryesor. Gjithsesi, titulli nuk vendoset tani, sepse sezoni është shumë i gjatë. Natyrisht ne duam që të fitojmë. Sa i përket stilit të Barcelonës, mendoj se në futboll nuk është mirë të luash me një stil të vetëm, duhet të dish të përshtatesh”.
Ndryshe situate tek Barcelona, ku presioni dhe kritikat janë të mëdha pas barazimit 3-3 me Interin në Champions, rezultat që thuajse e eliminoi skuadrën katalanase. Kritikat për Ksavin kanë qenë të forta, por trajneri nuk dëshiron të fitojë duke luajtur keq. “Jo, – tha ai, – nuk është ky objektivi ynë. Ne duam që të fitojmë duke luajtur mirë, ose të paktën duke luajtur sipas filozofisë sonë. Ne duam të mbajmë topin, të jemi protagonistë, të jemi agresivë dhe të bëjmë presion. Loja sulmuese është gjëja më e mirë. Shpresoj që të jetë kështu dhe të fitojë. Është e qartë që ka presion, por kështu ndodh kur je trajner i Barcelonës”.
Barcelona ka të paktën 4 mungesa të rëndësishme, ndërsa sfida cilësohet edhe si një duel mes dy sulmuesve kryesorë, Levandovskit dhe Benzemasë. Pavarësisht problemeve, katalanasit kanë udhëtuar drejt Madridit me një synim të vetëm, për të fituar.
Sfidanti.al