18 vjeçari Endri Çelaj, talenti që flet “frëngjisht” me topin!

Është një shprehje e moçme në futboll : fiton më shumë kur mbështet një futbollist të ri, të talentuar, sesa kur katapulton një “veteran” të huaj, një mall që gëzon privilegjin nga presidentët tanë të ambalozhohet si i gatshëm. Ajo që ka ndodhur këto ditë, tamam tamam tek “demat” e Partizanit, është një lajm, sidomos moralisht, si një kambanë me tinguj të gëzueshëm! Në ndeshjen miqësore mes Partizanit dhe Teutës ka vendosur fatin e ndeshjes një futbollist 18 vjeçar, i cili quhet Endri Çelaj, dhe më shumë njihet jashtë vendit të tij, sesa në tokën tonë të futbollit ku ka ‘ligje të tjera”…

Po cili është Endri Çelaj? Sulmuesi që pritet të flasë me topin një “frëngjishte” të pasur dhe me shumë elegante, nëse do të besonin edhe fjalët e Ervin Muratit, që e ka pagëzuar si një djalosh që argëtohet dhe argëton kur tokezohet me topin. Rallëkush ka patur fatin të rritet ne akademitë e moshave si Paris SG si Endri Çelaj, dhe për të shkuar më pas dy vite tek Verona dhe më tej tek Maribori në Slloveni.
Por, a mjafton kjo biografi e pasur sportive, për të fituar një vend në sulmin e Partizanit? Sulmuesit flasin me vepra dhe Endri nuk pretendon ndonjë gjë të madhe: të futet në fushë, mos e pyesni për moshën, sepse po ta shikosh me topin në aksion, ka aromën e një sulmuesi që i jep kuptim portës dhe topit…

Sfidanti.al