E patë Bajernin?! Nuk ka Levandovskin, por ka Xhoshua Kimihun!

Do të jetë padyshim kapiteni i ardhshëm, ndërsa zhvilloi një ndeshje të madhe në Frankfurt. Xhoshua Kimih i erdhi shpejt në ndihmë Bajernit të Mynihut në fitoren 6-1 në fushën e Ajntrahtit në javën e parë të Bundesligës, sukses që ishte një deklaratë e qartë dhe e fortë për synimet e kampionëve këtë sezon. Edhe kritikët dhe dyshuesit më të mëdhenj të bavarezëve janë detyruar të pranojnë se fillimi i sezonit ishte i jashtëzakonshëm, ashtu siç ndodhi edhe në Superkupën e Gjermanisë ndaj Lajpcigut. Kimih shënoi që në 5’, dhe udhëhoqi mesfushën, duke shpërndarë topat në sulm e duke udhëzuar shokët. “E vetmja gjë jo e mirë ishte që ne pësuam gol,  – tha Kimih pas ndeshjes, – por, në sulm ne nuk gabuam, madje mund të kishim shënuar më shumë gola”. Edhe pa Levandovskin, Bajerni nuk e pati problem të realizonte dhe Mane e Gnabri  e treguan veten.

Sfidanti.al