Dashuria është më e fortë: Vengeri refuzon një ofertë 35-milionshe

Mediumet anglezë shkruajnë se Arsen Vengeri ka refuzuar, ditët e fundit, një ofertë marramendëse që atij i ka ardhur nga Kina dhe që do ta bënte atë trajnerin më të paguar në botë,  që të vazhdojë të qëndrojë tek Arsenali. Vengeri, së fundmi, ka qenë në qendër të kritikave të mëdha, ndërkohë që tifozët duan që t’i shohin atij kurrizin, por ai vetëm se konfirmoi edhe një herë tjetër se dashuria e tij për Arsenalin, të cilin ai po e drejton prej mëse 20 vitesh, është shumë e madhe.

Vengeri, sikurse bëhet e ditur, ka refuzuar një ofertë të majme të ardhur nga një klub kinez, sipas së cilës, ai do të merrte 35 milionë euro në vit. Kjo shumë është dy herë më e madhe sesa ajo që merr Pep Guardiola si trajner i Mançester Sitit. Kontrata aktuale e Vengerit me Arsenalin skadon në fund të këtij sezoni dhe tifozët shpresojnë se ajo nuk do të zgjatet më, megjithëse kryesia e klubit i ka propozuar atij (Vengerit) që ai të rrijë edhe dy vite të tjerë në “Emirate”.

sfidanti.al