Presidenti i Skënderbeut, Takaj, ka thënë se do t’jua kursejë mundimin për të bërë me këmbë Rrugën e Kombit, teksa është i bindur se titullin e fiton sërish ekipi i tij. Cili është reagimi juaj zoti Gjici?
I them Takajt që ne nuk lodhemi kollaj, pasi jemi mësuar duke ecur shumë. Besoj se presidenti i Skënderbeut është kënaqur për barazimin mes Kukësit dhe Partizanit, por kjo kënaqësi do t’i zgjasë shumë pak. Gjithsesi, unë e falënderoj për mendimin që ka, por e shikoj që këtë herë edhe vetë zoti Takaj e kupton që Kukësi është i frikshëm, pasi ka 23 ndeshje që nuk thyhet. Me ne e ka shumë të vështirë, jo vetëm për të na mundur, por edhe qoftë për të na ndalur gjatë rrugës.
Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, deklaroi se pas akuzave për tolerim nga Vllaznia në ndeshjen ndaj Skënderbeut duhet të kishte nisur një hetim. Keni një koment për këtë?
Nuk kam fakte që të them se ajo ndeshje duhet hetuar. Duhen prova, por nëse është e vërtetë, atëherë kjo është diçka shumë e rëndë. Gjithsesi, përderisa nuk kam fakte, më duhet të shikoj vetëm punët e Kukësit dhe nuk më intereson se çfarë bën Skënderbeu apo Vllaznia. Kam lexuar deklaratën e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe jam kundër atyre që bëjnë të tilla aleanca, gjithnjë nëse ka pasur. Nëse ndeshja është për t’u hetuar, komisionet në FSHF duhet të lëvizin.
Panorama Sport