Paris SG, karakter edhe në baltën e kategorisë së dytë franceze!

Paris SG është kthyer në një makinë fitoresh dhe në një skuadër krejt tjetër në gjysmën e dytë të këtij sezoni. Nën udhëheqjen e trajnerit Unai Emeri, francezët kryeqytetas po këmbëngulin për të ruajtur dominimin në shtëpi, dhe për të fituar më në fund lavdinë në Europë. Suksesi i fundit, 2-0 në fushën e Niortit në Kupën e Francës, ishte një demonstrim i vullnetit të kampionëve për të mos u dorëzuar deri në fund, edhe pse Monako vazhdon të mbetet favorite për ta fituar Ligën e Parë.

U deshën 78 minuta luftë me fushën me baltë, në një mbrëmje të mbytur nga shiu, dhe në betejë dhëmb për dhëmb me një ekip modest të mesit të tabelës së kategorisë së dytë, por mjaft trim për të sfiduar më të fortët. U deshën golat e Havier Pastores në 78’ dhe Edinson Kavanit në sekondat e fundit që ndeshja të fitohej dhe PSG të kualifikohej.

Parizienët do të kërkojnë kupën e tretë të Francës radhazi, ndërsa që kur aksionet e klubit u blenë nga sheikët, triumfet nuk kanë munguar. Lexojeni vetë listën: Katër tituj radhazi, dy herë radhazi fitore e Kupës së Francës, tri herë radhazi Kupën e Ligës, katër herë radhazi fitues të Superkupës së Francës. Mungon vetëm konsakrimi në Champions.

Sfidanti.al