Problemet nisin kur fillojnë edhe humbjet. Kështu ndodh në jetë, kështu në futboll, dhe kjo është gjendja tek Tirana pas disfatës së tretë radhazi në kupat e Europës, këtë herë në Ligën e Konferencës. Dështimi me shifrat 0-1 ndaj Zrinjskit të Mostarit solli një përplasje të presidentit Halili me trajnerin Shehi, ndonëse Halili e vlerësoi ekipin për lojën. “Na mungoi përvoja dhe nuk jam i kënaqur nga 2-3 lojtarë, – tha ai, – megjithatë, ekipi luftoi dhe mendoj se luajti mirë”. Gjithsesi, përplasja ndodhi kur erdhi pyetja për përforcimet për Superligën, ku Halili dhe Shehi kishin mendime të kundërta.
“Më vjen keq që nuk bëmë më shumë përforcime për Europën, – vazhdoi Halili, – sa për Superligën, nuk kemi nevojë për përforcime. Nuk dua të ul vlerën e kampionatit, por jemi mirë kështu siç jemi. Madje, edhe nëse kërkon, nuk ke ku gjen lojtarë”.Shehi foli ndryshe. “Nuk e di se çfarë ka thënë presidenti, – u shpreh ai, – por, ekipi ka nevojë për lojtarë në mesfushë dhe sulm. Kemi folur për këto gjëra. Për më tepër mund të ketë lojtarë që mund të largohen, siç është Taulanti (Seferi)”. A thua se kjo çarje mund të jetë shkak për diçka më të madhe tek Tirana?
Sfidanti.al