Berat Gjimshiti, alternativa më e shkëlqyer e Shkriniarit tek Interi!

Mund ta ketë në krah një shok që flet shqip. Kristjan Asllani mund të mos mbetet lojtari i vetëm kuqezi tek Interi, pasi klubi zikaltër po mendon edhe për Berat Gjimshitin. Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, pjesë e Atalantës gjithashtu në Serinë A, shihet si alternativa më e përshtatshme për skuadrën e trajnerit Simone Inzagi, e cila mund të humbasë sllovakun Milan Shkriniar. Gjimshiti do të ishte zëvendësuesi më i mirë për mbrojtësin që pritet të kalojë nga Interi tek Paris SG kundrejt 60 apo 70 milionë eurove. Shqiptari i Kosovës ka mjaft përvojë në Serinë A dhe po ashtu në Champions, ka një moshë mjaft optimale 29-vjeçare, si dhe mund të ketë një kosto kartoni krejtësisht të pranueshme.

Atalanta e ka në kontratë deri në 2026, pra është në pozita të forta, veçse vështirë të kërkonte më shumë 20 apo 25 milionë euro për kartonin e tij, një shifër e përballueshme për klubin milanez. Gjimshiti, që kërkohet edhe nga Monza e Berluskonit, doli si kandidat për në “San Siro”, pasi mbrojtësi brazilian, Bremer, kaloi nga Torino tek Juventusi për rreth 40 milionë euro. Qendërmbrojtësi shqiptar është dalluar në Serinë A ku luan si titullar prej 4 vjetësh dhe ku është dalluar jo vetëm për detyrat në prapavijë, por edhe për shënimin e golave të rëndësishëm.

Sfidanti.al