Prag Tirana-Dudelanzh, a do të ketë të ardhmje ekipi bardheblu në Champions?!

Siç e thotë edhe trajneri Shehi, është akti i dytë i dramës. Tirana do të kërkojë sot kualifikimin për në raundin tjetër eliminator të Championsit, dhe për këtë i duhet të përmbysë humbjen 0-1 pësuar në Luksemburg. Dudelanzhin e pret sot në orën 20:00 në “Arenën Air Albania”, dhe pavarësisht hapit fals jashtë fushe, kampionia e Shqipërisë ka besim se mund t’ia dalë. Trajneri Orges Shehi ka punuar këto ditë me futbollistët për t’i përgatitur nga ana psikologjike, por edhe taktike në mënyrë që të arrihet synimi.

Përsa i përket formacionit, ka vetëm një ndryshim nga ndeshja e kaluar, pasi Limaj është i pezulluar pas kartonit të kuq, dhe në vend të tij luan Hoti. Pjesa tjetër është e njëjta dhe për fat Taulant Seferi i ka kaluar problemet fizike që pësoi në Luksemburg. Shehi duket i qetë në prag të sfidës, por problem gjithsesi mbetet fakti se vitet e fundit Dudelanzhi ka më shumë përvojë europiane duke hyrë dy herë në fazën e grupeve në Ligën e Europës, ndërsa Tirana ka arritur të kalojë një tur para dy vjetësh ndaj Dinamos së Tbilisit.

Formacioni i mundshëm (4-3-3): Bekaj Toshevski Behiraçe Najdovski Ismajlgeci Totre Aleksi Hila Seferi De Silva Xhixha.

Sfidanti.al