Lajmi për “lidhjen” e Militaos me klubin e Madridit deri në 2028 ishte rrjedhojë logjike e asaj që po ndodh në “Santiago Bernabeu”. Reali po mban fort yjet e tij, ndërsa rinovim kanë bërë edhe Vinisius apo Rodrigo. Po ashtu, Tibo Kurtua ka rinovuar deri në 2026 vitin e kaluar, ndërsa Fede Valverde hodhi gjithashtu vjet firmën në letër për të qendruar në “Bernabeu” deri në 2027. Braziliani Kasemiro është i lidhur me marrëveshje deri në 2025. Problemi i vetëm për madrilenët është që Toni Kros nuk ka vendosur të rinovojë marrëveshjen që skadon verën e ardhshme. Me gjasë, mesfushori gjerman dëshiron t’i japë fund me futbollin, nëse nuk ndërron mendjen gjatë këtij sezoni. Sidoqoftë, trajneri Ançeloti ka alternativa për mesfushën si Kamavinga apo Çuameni. E vërteta është që Reali nuk ka rinovuar as me Karim Benzemanë të cilit i përfundon akordi në 2023 me rrogën 8.3 milionë euro. Mediat spanjolle besojnë se kjo mund të ndodhë lehtë, ashtu siç po bëhet me Luka Modriçin që rinovon vit pas viti.
Sfidanti.al