Golden Stejti shpallet kampion, dhe Kërri më në fund është më i miri!

Kurrë më parë nuk e kishte provuar këtë gjë, por nuk thonë kot “i duruari, i fituari”. Stefën Kërri pati festë të dyfishtë në Boston pasi doli kampion me Golden Stejtin e tij dhe u shpall më në fund lojtari më i mirë i finaleve. Ky nuk ishte titulli i parë i Kërrit, përkundrazi tani ai ka 4 të tillë, veçse është hera e parë që dallohet nga të tjerët si më i miri, sepse në finalet e kaluara këtë vlerësim ia kishin marrë Lebron Xhejmsi dhe Kevin Duranti. Ylli 34-vjeçar tregoi se mosha nuk ka aq shumë rëndësi kur mban regjim sportiv dhe stërvitesh fort. Ai shënoi 34 pikë në fitoren 103-90 të kalifornianëve ndaj Sëlltiksave, që padyshim vuajtën mungesën e përvojës, kundrejt eksperiencës së madhe të Kërrit, Tompsonit e Drejmond Grinit. Basketbollisti me numër 30 pati 6 kosha tripikësh, 7 asiste, 7 topa në tabela, 1 vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh. Tompson shtoi 12 pikë, ndërsa Grin pati 12 pikë, 12 topa në tabela, 8 asistë, 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Uigins e vazhdoi formën e madhe me 18 pikë dhe Pul shtoi 15. Për Bostonin nuk mjaftuan 34 pikët e Xhejlën Braunit, sepse Tatëm (13 pikë) e Smart (9) nuk ishin aty ku duhet. Mëkat për Al Horfordin që shënoi 19 pikë dhe kapi 14 topa në tabela.

Sfidanti.al