Kohën nuk e kanë shumë të gjatë në dispozicion, por nuk kanë se çfarë të bëjnë. Kampionët e Shqipërisë, futbollistët e Tiranës, vazhdojnë përgatitjet në Turqi, për të qenë gati së pari për ndeshjet e Championsit ndaj Dudelanzhit të Luksemburgut, e pastaj për kampionatin e kupën. Trajneri Orges Shehi ka kohë deri në 5 korrik ku luhet sfida e parë europiane, ndërsa vëmendja e tij është e përqëndruar në dy drejtime. Së pari, ai duhet të përgatisë skuadrën për të qenë gati, ndaj edhe stërvitjet në Antalia kanë qenë me ngarkesë.
Së dyti, Shehi duhet të plotësojë skuadrën, kuptohet në bashkëpunim me drejtuesit e klubit, pasi deri tani ka më shumë largime sesa afrime. Nga Tirana janë larguar 7 lojtarë dhe flitet për emra të njohur si Seferi, Hoxhallari e Toli, apo edhe Hoti, Stafa, Beshiraj, Muça e Ngo. Në skuadër kanë ardhur Albano Aleksi nga Teuta, Florent Hasani nga Kosova, si dhe Ardit Hila, me këtë të fundit që e pëlqente edhe Laçi. Bardheblutë nisin ndeshjet miqësore me Dinamon e Tiraspolit nga Moldavia, ndërsa më pas do të ketë edhe disa të tjera. Tirana është skuadra e parë shqiptare që nisi fazën përgatitore jashtë vendit, ndërsa ditën e sotme e fillon edhe Partizani që udhëton për në Slloveni.
Sfidanti.al