Holanda e bën dramë fitoren, falë çdo sulmuesi që aktivizon trajneri Van Gal!

Ndryshoi minuta, e 93-ta në krahasim me të 94-ën, ndryshoi autori i golit, por jo shija e fitores. Holanda po kthehet dalë nga dalë, veçse në mënyrë bindëse, në ekipin që di të krijojë Luis Van Gali dhe trajneri eksentrik mund të ketë një tjetër rast që të lavdërohet. Në sfidën e kaluar në Kardif, ishte Veghorst që shënoi golin e fitores 2-1 ndaj Uellsit në minutën e katërt shtesë. Në atë rast, trajneri u kritikua se përse la në stol Memfis Depain, dhe ai tha “kush ishte lojtari që shënoi golin? Veghorst, po po”, e pastaj i rrahu shpatullat vetvetes. Tashmë, ishte sërish vendimi i Van Galit për të pasur në fushë Memfis Depain e Barcelonës, dhe ishte ky sulmues që shënoi golin e fitores 3-2 në stadiumin “De Kuip” të Roterdamit. Punët ecin mirë në Ligën e Kombeve, me “tulipanët” që kanë fituar 4-1 në Belgjikë dhe kanë barazuar 2-2 me Poloninë, duke qenë në vendin e parë.

Sfidanti.al