Red Bulli prezantoi makinën e re të saj në Formula 1 dhe skuadra austriake shpreson që ky të jetë viti i duhur për t’u kthyer në majë. Pas katër sezonesh dominimi të plotë, me titujt e Sebastian Fetelit, RB u detyrua të provonte sundimin e Mercedesit që nisi tre vjet më parë dhe që vazhdon ende. Me Fetelin tek Ferrari, Red Bull ka dyshen Verstapen-Riçardo për t’ia kundërvënë Ljuis Hamiltonit, por tani edhe Valteri Botasit, pas largimit të Niko Rosbergut.
Sezonin e kaluar, austriakët lanë prapa Ferrarin duke u bërë ata rivalët kryesorë të gjermanëve, dhe e vetmja skuadër që fitoi gara përveç Mercedesit. Shefi i ekipit, Kristian Horner, thotë me optimizëm se “duket sikur ne po marrim vrull dhe po krijojmë momentin tonë”. “E gjithë skuadra është optimiste se do të gjejë kombinimin e duhur motor-aerodinamikë, për të krijuar një makinë të mirë, dhe që pilotët tanë të kenë mundësi të konkurrojnë me Mercedesin”.
Sfidanti.al