Reali fiton Championsin, por ekipi më i mirë (Liverpuli) humbi!

Nuk do të gabonim nëse do të thoshim se në “Stad dë Frans” të Parisit u duk sikur u kthyen kohët e “katenaços”, që ndoshta për herë të fundit e kemi parë në gjysmëfinalen e Euro 2000-it mes Holandës e Italisë. Një skuadër që luajti gjatë gjithë kohës në sulm, një skuadër agresive dhe pozitive si Liverpuli, doli nga loja e humbur, ndërsa ekipi që qendroi në pritje gjatë gjithë kohës e që vetëm kundërsulmoi nja 2-3 herë duke luajtur “cic-mic” me topin, arriti të fitonte.

Reali i Madridit mund të ketë fituar Championsin e 14-të në histori, por padyshim që ky sukses me vetëm 4 gjuajtje në 97 minuta nga të cilat vetëm 2 në portë, kundrejt 24 gjuajtjeve të të kuqve, e 9 prej tyre ishin në kuadrat. “Merengesit” e Ançelotit duhet t’i puthin duart e këmbët portierit Kurtua, ndonëse nuk u duhet mohuar merita që ishin një skuadër e bashkuar në vuajtje, që u mbrojt fort dhe luftoi me shpirt ndër dhëmbë për të mos u dorëzuar. Le të vlerësojmë kampionët si Benzema, Modriç, Kros që e kanë fituar Championsin 5 herë në 8 vjet, por sa për këtë finale nuk besohet se do të jenë krenarë. Jo më kot lojtari më i mirë i ndeshjes u zgjodh Tibo Kurtua, që bëri 9 pritje, një rekord në finale të tilla të paktën që nga viti 2003-2004.

Liverpul-Real 0-1 (Vinisius 59’)

Liverpuli: Alison, Aleksandër-Arnold, Konate, Van Dajk, Robertson, Henderson (Keita 77’), Fabinjo, Tiago Alkantara (Firmino 77’), Salah, Mane, Luis Diaz (Diogo Zhota 65’).

Reali: Kurtua, Karvahal, Militao, Alaba, Mendi, Modriç (Sebajos 90’), Kasemiro, Kros, Valverde (Kamavinga 85’), Benzema, Vinisius (Rodrigo 90’+3).

Sfidanti.al