Cili do ta fitojë derbin për Brojën, Milani, Interi apo Napoli?!

Sa më shumë afron vera, aq më shumë rritet interesimi për të. Armando Broja mund të mos jetë një Kilian Mbape apo Erling Haland, por gjithsesi është një nga lojtarët më të kërkuar në tregun e futbollit. Për sulmuesin e kombëtares shqiptare ka nisur një derbi mes Interit e Milanit, që duan ta marrin në Serinë A. Pasi shënoi 9 gola këtë sezon në Angli për Sauthemptonin, 6 prej të cilëve në Premier Ligë, 20-vjeçari është “objekt dëshirash” i shumë klubeve. Në Serinë A, e kërkon prej kohësh edhe Napoli, i cili sipas mediave nuk ka hequr aspak dorë prej tij, pavarësisht se në garë kanë hyrë klubet milaneze, që kanë fuqi financiare më të madhe.

Gjithsesi, për Brojën nuk interesohet vetëm Italia. Radha në Angli është e gjatë me Sauthemptonin që synon t’ia blejë kartonin pasi e pati në huazim për 12 muaj. Po ashtu, Uest Hemi e Njukasëlli, pse jo edhe vetë Arsenali. Pritet se cili do të jetë vendimi i Çelsit, pasi kartonin e 20-vjeçarit e kanë pikërisht blutë e Londrës. Trajneri Tomas Tuhel do ta thërrasë në fazë përgatitore dhe pastaj do të vendosë nëse do ta mbajë apo do ta transferojë, si dhe për çmimin e kartonit që nuk pritet të jetë më pak se 40 milionë euro.

Sfidanti.al