Tre pritjet e Kurtuasë që i dhanë Championsin Realit

E donin këtë portier që kur ishte te Atletiko e Madridit, por ai nuk pranoi të tradhëtonte direkt ngjyrat bardhekuqe. Tibo Kurtua bëri udhëtimin nga Londra, duke luajtur disa kohë për Çelsin përpara sesa të shkonte tek Reali i Madridit dhe është padyshim një nga blerjet më të mëdha të presidentit Florentino Perez. Portieri belg ka qenë shpesh vendimtar këto kohë, sidomos këtë sezon dhe sidomos në Champions. Gjithsesi, asgjë nuk mund t’i afrohet frymëzimit që ai pati në finalen ndaj Liverpulit në Paris. Kurtua bëri 3 pritje të denja për portierët më të mëdhenj të historisë si Planiçka, Zamora, Jashin, Benks e Majer apo edhe ata të mëvonshmit si Bufon, Çeh, Kasijas, Kahn apo Nojer. Në pjesën e parë devijoi gjuajtjen e Manesë në shtyllë, ndërsa pas pushimit bëri dy ndalesa të mëdha ndaj Mohamed Salahut. Pa të, Liverpuli padyshim që do ta kishte fituar Championsin.

Sfidanti.al