Nuk është se ndodhi diçka e pazakonshme, pasi këto dy skuadra kanë treguar se dinë të fitojnë jashtë fushe dhe të humbasin në shtëpi. Gjithsesi, kur ia del ndërsa je një humbje larg eliminimit, dhe pas një paraqitjeje të tillë të kapitenit, atëherë vërtet që duhet të vlerësohesh lart. Majemi Hit ia doli të mbetej “gjallë” në finalen e Lindjes në NBA me suksesin 111-103 në Boston, duke lënë pas një shkatërrim që pësoi në Floridë. Xhimi Batler ishte më i miri në parket dhe vendosi një rekord të karrierës me një ndeshje gati të përsosur.
Ylli i Majemit shënoi 47 pikë, duke pasur saktësi mbi 55 për qind nga loja. Pati 4 kosha tripikësh nga 8 që provoi, nuk humbi asnjë gjuajtje të lirë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 8 asistë duke mos qenë larg një tripëll dabëlli, si dhe bëri 4 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje të kundërshtarëve. Të gjithë basketbollistët e tjerë të Majemit shënuan gjithsej 64 pikë, ndërsa u dallua Kajl Louri me 18 pikë e 10 asistë. Boston Sëlltiksat duhet të realizojnë tashmë mrekullinë e tyre në ndeshjen e shtatë në Majemi, nëse duan finalen e madhe përballë Golden Stejtit. Xhejzën Tatëm shënoi 30 pikë dhe pati 9 topa në tabela e 4 asistë, Uajt pati 22 pikë dhe Xhejlën Braun 20.
Sfidanti.al