Pritja ishte 60-vjeçare për një skuadër që vërtet nuk ka fituar shumë, por ka një emër kaq klasik. Roma mbetet Romë, ekip i “Qytetit të Përjetshëm” dhe nën drejtimin e një trajneri gjithashtu klasik e të veçantë ia doli në “Arenën Air Albania” në Tiranë. Zhoze Murinjo e udhëhoqi në trofeun e parë europian që nga 1961, fitoi të pestin për vete, ndërsa italianët bënë të vetin trofeun e edicionit të parë të Ligës së Konferencës. Ishte gjithashtu finalja e parë në histori në kryeqytetin e Shqipërisë. Murinjo nisi të qeshte kur u pyet se çfarë shijeje kishte kjo fitore. “Ç’mund të të them. Nuk ka asgjë për të thënë”, tha ai. Padyshim, u desh puna dhe zotësia e tij që Roma t’ia dilte.
“Kjo nuk është një skuadër, – u shpreh më pas, – kjo skuadër është një familje. Kjo është gjëja më e bukur. Skuadra i ngjan tifozëve romanistë, mendon gjithmonë për ta. Një kënaqësi ta kesh stadiumin “Olimpik” plot edhe kur barazon me Venecian, dhe tifozët të na mbështesin edhe nëse mund të mbeteshim jashtë Europës. Ky është koncepti i familjes, që jemi bashkë në të mirë e në të keq. Ndoshta jemi ende një familje e vogël, por kjo është e merituar. Lojtarëve ua thashë që në fillim se ky sezon do të përfundonte me diçka të veçantë për ne”.
Murinjo bëhet i pari trajner që fiton çdo trofe europian, nga ata që ekzistojnë, dhe po ashtu Roma e tij fitoi titullin e parë kontinental për skuadrat italiane që nga viti 2010. Si për koincidencë ekipi i fundit italian që fitonte në Europë ishte Interi i tij në 2010, që triumfoi në Champions. Lumturi për lojtarët, për tifozët, por edhe për Marash Kumbullën, mbrojtësin e kombëtares shqiptare që nuk arriti të luante në këtë finale. Pas Naim Kryeziut, ai u bë shqiptari i dytë që fiton titull me Romën.
Sfidanti.al