Shok në “La Masia!” Barcelona heq dorë nga talenti

Barcelona po përgatitet për një verë të ngarkuar në merkato, por për të realizuar dy transferime të mëdha, klubi katalanas duhet fillimisht të sigurojë të ardhura dhe të krijojë hapësirë në strukturën e pagave.

Drejtuesit po kërkojnë të lirojnë buxhetin përmes largimeve të mundshme të emrave të rëndësishëm si Marc-André ter Stegen dhe Robert Lewandowski, megjithatë asnjëri prej tyre nuk pritet të sjellë një shumë të konsiderueshme nga një transferim i mundshëm. Ndryshe qëndron situata e Marc Casadó. Mesfushori 22-vjeçar, i dalë nga akademia e famshme “La Masia”, nuk ka arritur të sigurojë një rol të rëndësishëm këtë sezon. Me rikthimin e Gavit, ai ka rënë edhe më poshtë në hierarkinë e mesfushës, ku përpara tij renditen emra si Pedri, Frenkie de Jong, Marc Bernal dhe Eric García.

Për këtë arsye, Barcelona është e gatshme të dëgjojë oferta për të gjatë merkatos së verës. Klubi beson se vlera e tij mund të bjerë nëse ai qëndron më gjatë, ndërsa edhe vetë lojtari raportohet se ka pranuar se një largim mund të jetë zgjidhja më e mirë për të siguruar më shumë minuta në fushë.

Casadó nuk shihet më si pjesë qendrore e planeve të trajnerit Hansi Flick dhe të gjitha palët duket se janë të hapura për një ndarje në fund të sezonit.

Aktualisht, Arabia Saudite shihet si destinacioni më i mundshëm për të, pasi disa klube atje kanë shprehur interes konkret. Në të kaluarën, ai është ndjekur edhe nga Atlético Madrid dhe disa skuadra të Premier League, ndaj mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet e ardhmja e tij.