Tirana shpëton nga dhuna e tifozëve, italianët e patën mendjen tek festa, holandezët i zbrazën bateritë në stadium!

Dihej që do të festonte vetëm njëra palë. Në përfundim të finales së Ligës së Konferencës në “Arenën Air Albania”, lumturia ishte e gjitha për tifozët e Romës. Me mijëra italianë të kryeqytetit, por edhe të ardhur nga vende të tjera, e kremtuan pa u përmbajtur suksesin e madh të ekipit të tyre të zemrës. E tillë festa kur ia del pas 6 dekadash, ndërsa shumica e këtyre njerëzve as nuk kishin lindur në atë kohë. Pasi vuajtën për 90 minuta, në stadium, si dhe në zonën e tifozëve tek Liqeni Artificial apo në sheshin Skënderbej, përkrahësit romanistë iu lëshuan haresë. Me të drejtë, ishin në qiellin e shtatë. Ky 25 maj në kryeqytetin e Shqipërisë ishte dita e tyre, një mbrëmje që do të mbetet në histori.

Për fat nuk pati dhunë dhe eksese, të paktën jo në përfundim. Jo vetëm nga romanistët, por as nga tifozët e Fejënordit. Ata dolën të parët nga stadiumi, në krahun verior, duke marshuar të qetë në rrugën drejt zonës tek selia e Partisë Demokratike, ku ishin vendosur autobusët që do t’i dërgonin në Aeroportin e Rinasit. Frika ishte e madhe se pikërisht humbësit mund të shfrynin dëshpërimin, por përveç ndonjë bërtitjeje e shkundjeje të shtyllave të tabelave rrugore nuk pati asgjë tjetër. Forca të mëdha policore ishin në të gjitha drejtimet, të gatshme për çdo rast. E vërtetë që pati përleshje një ditë para ndeshjes, dhe disi më pak të mërkurën gjatë ditës, por mbyllja ishte ajo e duhura.

Sfidanti.al