Kumbulla: E veçantë fitorja para tifozëve shqiptarë, duam trofe tjetër vitin e ardhshëm!

E ka filluar herët fitimin e trofeve. Marash Kumbulla vërtet nuk mundi të luante asnjë minutë në këtë finale, por gjithsesi ishte pjesë e suksesit të madh të Romës, për kontributin e dhënë në ndeshjet më parë. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte vërtet si në ëndërr, ndërsa foli për “Supersportin” pas përfundimit të edicionit në Ligën e Konferencës. “Ishte një emocion shumë i madh që të fitonim trofeun në këtë stadium, – tha ai, – në prani të tifozëve shqiptarë dhe tifozëve italianë. Nuk di si ta përshkruaj këtë që ndjej, nuk thuhet me fjalë”.

Trajneri i tij, Zhoze Murinjo ka thënë se Kumbulla do të mbetet pjesë e Romës dhe e planeve të tij si dhe u shpreh i sigurt dhe se do të fitohen sërish trofe. “Po, kur fiton trofe kjo ndikon tek mentaliteti, – tha Kumbulla, – ne do të kërkojmë të fitojmë përsëri vitin tjetër”. Mbrojtësi ka luajtur në “Arenë” edhe me kombëtaren, si ishte ndryshimi? “Kam luajtur me kombëtaren, por këtë herë ishte e veçantë”, – deklaroi 22-vjeçari.

Sfidanti.al