Është një ekip që e di rrugën për tek titulli dhe nuk ka nevojë për shumë dhurata për t’ia dalë. Në një sezon kur Lebron Xhejmsi është “i përjashtuar” dhe Kevin Duranti i eliminuar shpejt, dhe kur Janis Adetokumbo, Nikola Jokiç, Xhejms Harden apo Zhoel Embijt janë jashtë loje, “Vëllezërit Splesh” mund të shtojnë një tjetër “unazë” në karrierën e tyre. Golden Stejti kryeson 3-0 në finalen e Konferencës Perëndimore ndaj Dallas Maveriksave, të cilëve nuk u mjaftoi Luka Donçiç, edhe pse superylli slloven shënoi 40 pikë, kapi 11 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, vodhi 1 top e bllokoi 2 gjuajtje.
Endrju Uigins është “arma plus” e ish-kampionëve, dhe ai pati një paraqitje të madhe në Arenën e Dallasit, me 27 pikë, 11 topa në tabela e 3 asiste. Për këtë, mori notën 22, më të mirën në parket. Drejmond Grin ishte gjithashtu një “shtyllë” me 10 pikë, 5 topa në tabela, 5 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, dhe me një ndikim të madh në mbrojtje e në sulm. Stef Kërri mori “frenat” e lojës në dorë me 31 pikë, 5 topa në tabela e 11 asistë, ndërsa Klej Tompsoni shtoi 19 pikë, ndërsa pati 7 topa në tabela e 3 asistë. Duket se Golden Stejti po ndihet shumë mirë në plej of dhe po i kujtohen kohët e dikurshme kur fitoi 3 tituj të NBA-së në 4 vjet. Edhe pse nuk është Kevin Duranti, ekipi ka të tjerë, ndonëse Iguodala dhe Uajsmen nuk luajnë për shkak dëmtimi. Për Dallasin duket gjithçka e përfundar, dhe Donçiç me shokë do të përpiqen të shmangin eliminimin me “fshesë”, pra duke mos fituar asnjë ndeshje.
Sfidanti.al