Gjen biletë për finalen e Championsit, i bëhet “ferr” finalja e Tiranës!

Siç duket është e shkruar diku, çdo gjë që ndodh tek ne është unikale në llojin e vet. Kur u bë stadiumi Air Aalbania na thanë se është më i bukuri në Ballkan, tani që do të bëhet finalja e Konferencë Ligës mes Romës dhe Fejnordit, për shkak të biletave, na duket si stadiumi më i vogël në botë, në ballkan po e po! Ka nga ata që kanë gjetur biletë për finalen e Championsit, Liverpul me Realin, dhe nuk gjejnë dot për finalen e Tiranës, Roma-Fejnord!

Aq sa në qytetin e përjetësisë,në Romë kanë lëshuar një anektodë : “ Shqiptarët në vitet 90 gjetën “biletën e fatit” kur zbarkuan në Itali, kurse ne romanët , as nga qielli e as nga deti, nuk po mbërrijmë dot në “tragetin e finales” në stadiumin Air Albania..”

Kur biletat avullojnë sa hap e mbyll sytë kur luan ekipi Kombëtar, imagjinoni çfarë magjie ndodh kur luan bota në mini-stadiumin tonë! Edhe pse këtë herë “biletashitësit” kanë unfiromën e UEFA-s, për fat jo atë të FSHF-së, askush nuk e zbulon dot ekuacionin e ndarjes së biletave. Thonë se gjysmën e stadiumit ose edhe më shumë e kanë marrë dy ekipet finaliste, por nuk thotë as UEFA e as FSHF-ja sa bileta mbeten për tifozerinë shqiptare! Një tifozeri që është mësuar ta gjejë biletën në tregun e zi, sepse tregu i bardhë ,ai që sot pagëzohet “bileta në internet” është si një lojë e trukuar, ku dihet fundi.

Pale kur dëgjon edhe atë arkitektin italian të stadiumit Air Albania , zotin Kazamondi, kur thotë se italianët duhet të marrin shembull nga ky impiant. Ky “Kuazimondo” i stadiumit mirë që nuk na e thotë troç: puthni stadiumin dhe kullën tuaj, ç‘e doni biletën e një nate ..që s’është as e juaja !

Sfidanti.al