Tirana toleron me kokën e vet apo me kokën e sistemit ?

Futbolli është një lojë e gabuar për ne…? Apo mos jemi ne një racë e gabuar për të ushtruar këtë zhanër sportiv ? Javë pas jave thurrëm lavde për Tiranën kampione, e bekuam si një ekip që në llojin tonë, s’e kishte shokun. Se Tirana u tregua arrogante në fushë, sa askush nuk besonte se në këtë lloj gjuetie, do të vriste dy zogj me një gur: i hodhi në tapet kundërshtarët, dhe sapo siguroi titullin ..i dha një goditje edhe vetes në fytyrë, duke aktruar rolin e humbësit, sepse pa tolerime, ç‘kuptim do të kishte meseleja jonë me top…

Tamam si një kampione e bindur ndaj sistemit, duke na çuar nga “varri” Dinamon e shumë viteve më parë, kur e urdhëruan që të ndalte fitoret dhe të ciklonte humbjet. Si mund të kesh një kampione të pastër, të pa bërë pis deri në fund, kur suflerët që komandojnë “kazinon me top”, vdesin për prapaskena dhe paudhësira. Kështu, filmi bardheblu ndryshoi rregji dhe skenar: “nga fitorja në fitore” , për javët e mbetura dhe do të titullohet “ nga humbja në humbje”. Është ngjallur fantazma e Dinamos, që u ngjit aq lart në klasifikim, sa më pas e hodhën poshtë, nga 7 metra e bëri portën 10 metra , tamam sikur të kishte hapur digën e golave, pa e ditur se kishte hapur gropën e vet…

Sfidanti.al