Ishin të vendosur për të fituar të vetmen kupë që u mungonte. Tirana në volejboll për meshkuj ia doli të shpallej kampione e Shqipërisë, pas një dueli të fortë me Erzenin e Shijakut. Përcaktuese ndeshja e katërt e fazës finale të plej ofit, luajtur në Sallën Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës, fituar nga kryeqytetasit me shifrat 3-2. Rezultati i seteve ishte 25-23, 25-23, 21-25, 15-25 dhe 15-13, ndërsa përfundimi i finaleve ishte 3-1 me fitore për Tiranën. Një rikthim i madh edhe pse shumë i vonuar për bardheblutë, që e kishin fituar titullin e fundit në vend plot 28 vjet më parë, në 1994. Që nga ajo kohë ka pasur dominim të Studentit, Teutës, Erzenit apo Partizanit. Ky ishte titulli i 10-të në histori për bardheblutë, që mbeten skuadra e katërt më e suksesshme në volejbollin shqiptar të meshkujve, pas Dinamos me 25 tituj dhe Partizanit e Studentit me nga 15. Këtë sezon, skuadra e trajnerit Arben Sako ka dominuar plotësisht ndaj rivalëve duke fituar edhe Kupën e Federatës, Kupën e Pavarësisë, Ligën Mbarëkombëtare “Gjergj Kastrioti” dhe Kupën e Shqipërisë.
Sfidanti.al