Broja kthehet tek Çelsi në verë, e ardhmja e shqiptarit është në Premier Ligë!

Të gjitha opcionet duken të hapura, ndoshta me përjashtim të njërit. Një e panjohur mesa kuptohet është hequr nga ekuacioni i së ardhmes së Armando Brojës, dhe bëhet fjalë për një kalim në Serinë A. Në Itali nuk besojnë se sulmuesi i kombëtares shqiptare do të bashkohet me Napolin, pasi vullneti i Çelsit është tjetër. Klubi anglez është në një udhëkryq, me Roman Abramoviçin që ka vendosur të shesë aksionet, të cilat pritet të blihen nga miliarderi amerikan, Tod Bohli. Me largimin e miliarderit rus, pritet të largohet edhe drejtoresha e fuqishme e bluve, Marina Granovskaja, e cila ishte një nga njerëzit që besoi tek Broja. Gjithsesi, edhe me largimin e rusëve, shqiptari pritet të thirret në “Stemford Brixh”, dhe këtë verë të vendoset për të ardhmen e tij.

Çelsi mund të vendosë që ta mbajë në ekip për sezonin e ardhshëm, gjithnjë në varësi se kush do të jetë trajner dhe drejtues, ose ta shesë kartonin tek ndonjë klub tjetër në Premier Ligë. Sauthemptoni vazhdon të këmbëngulë për ta marrë, pavarësisht nga kritikat e fundit të trajnerit Ralf Hazenhytl pas humbjes ndaj Kristël Palasit në stadiumin “Sent Meri”, ku deklaroi se Broja nuk është ai që ka qenë pak javë më parë. Sulmuesi 20-vjeçar nuk realizon që nga 9 shkurti, ku shënoi ndaj Totenhemit në Premier Ligë, ndërsa kanë kaluar 10 ndeshje në kampionat. Ylli kuqezi goditi saktë në 2 mars, në ndeshjen e Kupës së Anglisë ndaj Uest Hemit.

Sfidanti.al