Dy trajnerët janë njerëz me kulturë dhe nuk protestojnë dot aq lehtë sa një Zhoze Murinjo, apo Antonio Konte. Stefano Pioli e shoqëroi vetëm me një buzëqeshje të lehtë, ironike dhe që shprehte zhgënjim, vendimin e gjyqtarit Mariani për të anuluar golin shumë të bukur të shënuar nga Benaser. Nuk pati prekje me dorë, dhe gjyqtari e konfirmoi shpejt, por u shqyrtua gjatë pozicioni i Kalulut përpara portierit të Interit, Handanoviç. Arbitri e pa dhe e stërpa aksionin, madje u kthye përsëri kur mori për t’u larguar, duke e shikuar edhe në një kamera me kënd nga prapa portës. Më në fund u bind se pozicioni jashtë loje i Kalulut duhej quajtur aktiv sepse ndikonte në shpërqëndrimin e portierit. Protestat shpërthyen, edhe pse nuk dolën jashtë kontrollit. “Keqardhje, – tha Pioli më pas, – ai moment mund të rihapte ndeshjen dhe nuk i dihej fundit. Ne po ushtronim presion dhe po luanim mirë. Nuk kam asnjë vërejtje për impenjimin e lojtarëve të mi, ndonëse nuk e nisëm ndeshjen siç duhet. Bëmë gjithçka, por siç po na ndodh shpesh së fundmi, gabojmë në 20 metrat e fundit, gabojmë në pasimin e fundit dhe në gjuajtjen e fundit”.
Sfidanti.al