Superylli nga Sllovenia është bërë më mirë, por trajneri Kid nuk deshi të rrezikonte, edhe pse gjithçka mund të përfundonte me një humbje me peshën gati të eliminimit. Gjithsesi, Dallasi i mbijetoi mungesës së Luka Donçiçit duke arritur një fitore të rëndësishme për moralin, por edhe për fatin e plej ofit, 110-104 në fushën e vet ndaj Juta Xhazit. “Stafetën” e Donçiçit e mori Xhejlën Branson (Jalen Brunson) që shënoi 41 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 5 asistë. Ai ishte “motori” i një fitoreje tepër të vlefshme, plotësuar nga 25 pikët e Kleberit, që i shënoi të gjithë koshat nga aksioni, nga distanca për tri pikë (8/11). Për Jutën nuk bënë punë 34 pikët e Donovan Miçëllit apo 25 pikët e Bojan Bogdanoviçit e 21 të Klarksonit. Lojtari qendër nga Franca, Rudi Gober, ishte sërish dobët me vetëm 8 pikë, edhe pse kapi 17 topa në tabela. Seria është në barazim 1-1, ndërsa ndeshja e radhës luhet në fushën e Jutës duke u gdhirë e premtja, aty ku Dallasi ka 11 humbje radhazi.
Sfidanti.al