Eliminimi tashmë praktikisht ka ndodhur, ndërsa keqardhja do të jetë e madhe për një sezon të mallkuar, por që pati një notë magjike. Lebron Xhejms ishte i shkëlqyert në 2021-2022 për Los Anxhelos Lejkërsat dhe pretendon të fitojë çmimin e shënuesit më të mirë të edicionit (30.1 pikë për ndeshje deri tani), por skuadra e tij është tashmë pa shpresë për t’u kualifikuar në plej of. Humbja e fundit, 118-129 në Kaliforni ndaj Denverit ishte “gozhda” e fundit në “arkivol”, ndërsa Liqenasit nuk mundën t’ia dilnin ndaj miqve pa e pasur Lebronin në formacion. Dëmtimi bëri punën e vet. Nikola Jokiç dominoi ndeshjen me 36 pikë (68.2 për qind saktësi në realizim, duke barazuar një rekord të Shakill O’Nillit), kapi 18 topa në tabela, shërbeu 6 asistë, vodhi 3 topa dhe bllokoi 2 gjuajtje. i vetmi aspekt negativ ishte që e humbi topin 7 herë. Tek Lejkërsat, Entoni Dejvisi bëri gjithçka, por nuk mjaftoi. Ai shënoi 28 pikë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 8 asistë, vodhi 2 topa e bllokoi 3 gjuajtje. Rasëll Uestbruk shtoi 27 pikë, 10 topa në tabela e 7 asistë. Gjithsesi, paraqitjet e mira të yjeve nuk vlejnë për Lejkërsat që pësojnë shumë pikë. Denveri është në vendin e 5-të në Perëndim (47 fitore, 32 humbje), ndërsa kalifornianët në vend të 11-të me 31 fitore e 47 humbje.
Sfidanti.al