Kjo Vllaznia po i bën “dhuratat” me apo pa dashje?!

Sesi do të dilte ndeshja me Kastriotin dhe sesa besim kishte publiku shkodran tek ekipi i tij, kjo kuptohej sapo shikoje numrin e tifozëve në stadiumin “Loro Boriçi”. Në foto është momenti i një goli të Kastriotit në Shkodër dhe “të kënaqet syri” duke parë ngjyrën e stolave bosh, sepse tifozë ishin shumë pak. Vllaznia u mund 1-2 në shtëpi nga krutanët që hodhën një tjetër hap të madh drejt mbijetesës, pa pasur nevojë për ndeshje direkte si Egnatia. Nëse rrogozhinasit u lodhën shumë për të mundur Dinamon, nuk mund të thuhet kjo gjë për krutanët. Vllaznia u duk e dorëzuar, krejt ndryshe nga ndeshja që luajti në Elbasan ndaj Partizanit për Kupën e Shqipërisë, të cilën praktikisht e fitoi edhe pse nuk e lejoi VAR-i.

Përse ky transformim kaq rrënjësor? Natyrisht nuk është thjesht që është larguar ish-trajneri Brdariç, apo që arbitri nuk i quajti golin (e rregullt) ndaj Partizanit në Kupë. Habia është e madhe sepse kuqeblutë nuk e kanë siguruar Europën që ta rrezikojnë kaq shumë në kampionat. Ndaj, pyetja është krejt e pafajshme dhe e pashmangshme, Vllaznia e bëri vetë “dhuratën” sepse i erdhi keq për Kastriotin, apo kjo ndodhi pa dashje? Të shohim sesi do të luajë ekipi në ndeshjen e kthimit ndaj Partizanit, se ndoshta kanë parë ndonjë filxhan dhe kanë mësuar se do të jenë sërish në finalen e Kupës, ashtu si vjet.

Sfidanti.al