Interi shpreson titullin dhe nxjerr Juventusin jashtë gare, në Torino vendosi Çalhanoglu

Ishte një finale e parakohshme, edhe pse nuk ishte vendimtare. Për Interin ishte mundësia e fundit për të mbetur në garë për trofeun e Serisë A, ndërsa për Juventusin duhej të kishte qenë konfirmimi i vazhdimësisë. Fitoi 1-0 Interi me golin me penallti të Hakan Çalhanoglu në minutën e 5-të shtesë të pjesës së parë, dhe mbeti në garë për titull, ndërsa e nxorri jashtë gare ekipin piemontez. Juventusi luftoi fort, duke treguar se nën drejtimin e Maks Alegrit është një ekip i përqëndruar që di të luajë në mënyrë kolektive, dhe që ka vullnetin e dikurshëm. Vlahoviç rrezikoi menjëherë pas golit të turkut, Zakaria goditi shtyllën, Vlahoviç pati momente të tjera për gol, po ashtu Morata, ndërsa në pjesën e parë, një gabim i Handanoviçit bëri që topi të përplasej gjithashtu në shtyllë. Interi gjithashtu u tregua këmbëngulës, por më shumë në pjesën e parë. Shkriniar detyroi Sheznin në pritje të rëndësishme, më pas De Ligt shpëtoi ekipin nga pësimi i golit, derisa erdhi momenti kur Xheko u përpoq të rrezikonte.

Vendosi penalltia e cila mund të quhet “përmbys”, pasi një sulmues si Alvaro Dibala shkeli dhe rrëzoi në zonë një lojtar krahu (thuajse mbrojtës krahu) si Damfris. Emocionet ishin të mëdha sepse Çalhanoglu gjuajti dy herë. Shezni e priti gjuajtjen e parë, por ishte De Ligti në zonë, ndaj edhe u përsërit. Për të dytën herë nuk pati gabim. Juventusi këtë herë bëri më shumë, me 5 gjuajtje në portë ndaj vetëm 1 të Interit (ajo e golit), me 11 gjuajtje gjithsej ndaj vetëm 3 të miqve, me 54 për qind mbajtje topi dhe me 8 goditje nga këndi në favor ndaj vetëm 1. Ishte një ironi e fatit sepse në 9 ndeshjet e fundit të Serisë A, skuadra e Inzagit ka bërë më shumë sesa ajo e Alegrit (rreth 150 gjuajtje ndaj rreth 100), por ka marrë 10 pikë më pak. Këtë herë rolet ishin të kundërta. Kjo fitore bëri që zikaltërit të ngjiten në 63 pikë, me një ndeshje më pak se Napoli (66 pikë) dhe me ndeshje të barabarta me Milanin (66 pikë). Juventusi mbetet në 59 pikë, 7 pikë pas vendit të parë dhe 5 pikë mbi Romën e vendit të pestë.

Sfidanti.al