Prag Juve-Inter, barazimi është “vetëvrasje” në garën për titull

Milani mezi e pret këtë ndeshje, ashtu si edhe atë mes Atalantës e Napolit. Barazimet do t’u japin mundësi kuqezinjve që të shkëputen në garën për titull, nëse fitojnë të hënën, ndaj edhe Juventusi me Interin do të duhet të “vrasin” njëri-tjetrin sonte në orën 20:45. Luhet në Torino, dhe vendasit si gjithmonë janë favoritë në shtëpinë e tyre. Historia e tregon këtë, ndonëse për Interin është dita e së vërtetës. Nëse kampionët duan të mbeten në konkurrim për të mbrojtur “skudeton”, atëherë duhet të fitojnë në stadiumin “Alianc”. Rrugë tjetër nuk ka.

Të dy trajnerët, Alegri dhe Inzagi, kanë mundësi të luajnë me skuadrat më të mira të mundshme, dhe mungesat janë të pakta. E vërtetë që Juventusit i mungojnë Kieza, Mekkeni, Pelegrini dhe Kaio Zhorge, por sërish këta janë pak në krahasim me gjendjen e pak javëve më parë. Interi, nga ana tjetër, nuk ka as të dëmtuar dhe as të pezulluar. Interi ka 60 pikë në renditje, ndërsa Juventusi 59, pra bardhezinjtë mund ta kalojnë rivalin nëse fitojnë, edhe pse zikaltërit kanë luajtur një ndeshje më pak.

Juventusi (4-2-3-1): Shezni, Danilo, De Ligt, Kielini, Aleks Sandro, Zakaria, Lokateli, Kuadrado, Dibala, Morata, Vlahoviç.

Interi (3-5-2): Handanoviç, D’Ambrozio, Shkriniar, Bastoni, Damfris, Barela, Brozoviç, Çalhanoglu, Perishiç, Xheko, Lautaro Martinez.

Sfidanti.al