Florian Marku synon brezat e artë në WBA, WBC dhe WBO!

Përballja ishte e vështirë, por ai e bën vetvetiu më të lehtë. Florian Marku vërtet nuk është tepër i ri në moshë, por me 29 vitet që ka mbi supe duket se po arrin kulmin e karrierës. Boksieri shqiptar mbrojti titullin kampion të botës për peshat e mesme në federatën IBF me fitoren e merituar ndaj uellsianit Kris Xhenkins në ringun e Njukasëllit në Britaninë e Madhe. Edhe pse pati një çarje në ballë gjatë luftimit, Marku nuk e pati problem dhe e hodhi notaut në raundin e katërt rivalin me më shumë përvojë. Xhenkins erdhi në përballje me 31 ndeshje në profesionizëm, ndaj vetëm 7 të 29-vjeçarit, por agresiviteti më i madh, shpejtësia dhe teknika më e lartë e shqiptarit bëri diferencën. Kjo ishte fitorja e 11-të në boksin profesionist e djalit me origjinë nga Lushnja, në 12 ndeshje të zhvilluara, ndërsa nuk ka asnjë humbje. Edhe në artet marciale ku garoi më parë, Marku nuk pati asnjë humbje.

“Së pari dua të falenderoj të gjithë ata që më mbështetën , falenderoj të gjithë shqiptarët kudo ku janë, – tha ai, – Së dyti, dua që t’u uroj gjithë myslimanëve në botë muajin e shenjtë të Ramazanit dhe agjerim të lehtë. Unë kam respekt për rivalin tim, Kris Xhenkins. Ai e pranoi sfidën, por unë doja t’u tregoja gjithë tifozëve britanikë se unë nuk erdha me fat deri këtu, por jap shpirtin në ring. Gjithsesi, unë ende po mësoj, pasi kam vetëm 3 vjet në profesionizëm. Krisi ishte kampion i Britanisë. Tani dëgjoni, unë dua të ndeshem me Amir Hanin në ndeshjen e radhës”. Florian Marku vazhdon ngjitjen në renditjen botërore të boksit profesionist dhe mund të synojë për tituj në federatat e tjera të rëndësishme si WBA, WBC dhe WBO.

Sfidanti.al