Titullin e kanë më afër, por sërish nuk arrijnë të bindin. Nuk dihet se çfarë i ka gjetur futbollistët e Realit, të cilët po vuajnë që pas kualifikimit në Champions ndaj Paris SG. Disfata e rëndë me Barcelonën në “Bernabeu” u ndoq të paktën me një fitore, veçse ishte shumë e vështirë, dhe pati polemika.
Realit iu dhanë 3 penallti në favor në fushën e Seltës në Vigo, ku të paktën njëra prej tyre nuk ekzistonte. Po ashtu, u anulua me VAR një gol i vendasve, ndërsa u desh forma e portierit Kurtua për të marrë tri pikët. Të përditshmet e Katalonjës kaluan në sulm pas kësaj ndeshjeje.
“Sport” e Barcelonës ishte e qartë: Le t’ia dhurojnë titullin, Arbitri Fuertes dha 3 penallti skandaloze në favor të Madridit, anuloi një gol të dyshimtë të Seltës!
“El Mundo Deportivo”: Skandaloze! Madridi vuajti për të fituar edhe pse i dhanë 3 penallti, e vetëm kështu ia dolën ndaj Seltës!
Edhe të përditshmet e Madridit ishin kritike për skuadrën e Karlo Ançelotit.
“Jemi 11 metra më afër titullit, – shkruajti “Marka”, duke nënkuptuar ndihmën e penalltive, – Kurtua shpëton një Madrid të dobët!”
“Jemi gjallë falë penalltive, – shkruan edhe “AS”, – Madridi vuan në Vigo, por merr një fitore kyçe! Kurtua nuk është i qartë nëse fitorja ishte e merituar!”
Sfidanti.al