Lebroni hyn në histori me 10 000 asiste, por Lejkërsat bien në humnerë!

Sërish po hapet debati se kush është më i miri në histori. Lebron Xhejmsi apo Majkëll Xhordani? Ndoshta ky debat nuk do të përfundojë kurrë, por gjithsesi Lebroni hyri në histori si basketbollisti i parë në të gjitha kohët që ka mbi 30 000 pikë të shënuara, mbi 10 000 topa në tabela dhe mbi 10 000 asistë në karrierë. Lojtar më i kompletuar se ai nuk ka ekzistuar asnjëherë. Lebroni e bëri në ndeshjen e Lejkërsave në fushën Feniksit duke dhënë asist për Karmelo Entonin. “Shokët më përgëzuan pas ndeshjes, – tha ai, – po ashtu, mamaja më dërgoi një mesazh. Ky është një moment i rëndësishëm për mua. Ka qenë ëndrra ime që fëmijë që të luaj në këtë ligë, të jem në nivelin më të lartë. Gjithmonë kam dashur që loja ime të ishte e kompletuar, të shënoj pikë, të kap topa në tabela dhe të jap asiste. Është një arritje e madhe, por unë nuk dua të mendoj shumë për këtë”.

Gjithsesi, nëse Lebroni mbetet i madh, dhe e mbylli ndeshjen me 31 pikë, 7 topa në tabela e 6 asistë, Lejkërsat janë aq keq sa më nuk bëhet. Feniksi triumfoi thellë, 140-111, në një ndeshje që nuk pati histori. Devin Buker udhëhoqi të vetëm me 30 pikë e 10 asistë, Ejton shtoi 23 pikë e 16 topa në tabela dhe Brixhs realizoi 18 pikë.  Feniksi mbetet skuadra më e mirë e NBA-së me 54 fitore e 14 humbje, në krye të Konferencës Perëndimore, ndërsa Lejkërsat janë në vend të 9-të po në Perëndim me vetëm 29 fitore e 38 humbje.

Sfidanti.al