Kishte 13 vjet që priste ta tundte një herë rrjetën dhe rasti i erdhi, madje që ta bënte dy herë. Berat Gjimshiti bëri që Liga e Europës të fliste shqip këtë mbrëmje me dy gola, duke i dhënë fitoren 2-1 Atalantës ndaj Olimpiakosit të Pireut në stadiumin e Bergamos. Një gol me kokë dhe një tjetër me këmbë ishin përgjigja e shqiptarit të Kosovës në sfidën ndaj Olimpiakosit, që skuadra e Bergamos po e humbiste. “Gjimshiti është në flakë”, shkruajtën tifozët në rrjetet social, si edhe “cilësitë e tij si mbrojtës i tregoi ndaj Juventusit, ndërsa në sulm i tregoi ndaj Olimpiakosit”. Mbrojtësi shqiptar kishte shënuar gjithsej 4 gola në 130 ndeshje për Atalantën në 4 vjet, ndërsa këtë herë nuk e pati problem të shënonte dy herë në 120 sekonda. Fitorja 2-1 i jep shpresë italianëve që të kualifikohen për në turin tjetër, ndërsa e bën edhe më të lartësuar figurën e qendërmbrojtësit të kombëtares shqiptare.
Sfidanti.al