Në Ligën e Europës shkëlqejnë rusët dhe ukrainasit, bie Totenhemi!

Krasnodari dhe Rostovi të Rusisë dhe Shahtari i Donjeckut i Ukrainës ishin fitues të rëndësishëm të “mbrëmjes më të hershme” të Ligës së Europës, në ndeshje ku një skuadër e fortë si Totenhemi i Anglisë pësoi humbje. Krasnodari (ekipi që eleminoi Partizanin tonë në plej of) luajti më herët, në orën 17:00, dhe mposhti Fenerbahçen në Rusi. Mjaftoi një gol i shënuar nga Viktor Kleson që në minutën e katërt dhe shpresat janë për kualifikim.

Rostovi e pati më të lehtë, pasi luajti ndaj Spartës së Pragës duke fituar 4-0, ndonëse përfitoi nga dalja me të kuqe e Tiemoko Konates për miqtë kur rezultati ishte 1-0. Në qytetin në grykëderdhjen e lumit Don, Rostovi realizoi me anë të Miha Mevljes (15’), Dmitri Polozit (38’), Kristian Noboas (40’) dhe Serdar Azmunit (68’), me kualifikimin që duket formalitet.

Shahtari i Donjeckut pati një provë force, por të kaluar me sukses në Spanjë duke fituar 1-0 në fushën e Seltës (në foto). Në stadiumin e Vigos, “Balaidos”, autor i golit të vetëm ishte Gustavo Blanko. Totenhemi, ndërkaq, u mposht 0-1 në Belgjikë nga Genti kur Zheremi Perbet shënoi në 59’. Ndër ekipet e mira, fitoi Fiorentina që triumfoi në derbin italo-gjerman në fushën e Mynshengladbahut, Lioni ia doli thellë në Holandë ndaj AZ Alkmarit me shifrat 4-1, ndërsa FC Kopenhageni luajti me autoritet në Bullgari ndaj kampiones Ludogorec duke fituar 2-1. Barazime ndërkaq në duelin greko-turk Olimpiakos-Osmanlispor (0-0) dhe Astra Gjurgju (Rumani)-Genk (Belgjikë) me shifrat 2-2.

Sfidanti.al