Interi nuk e arrin fitoren e 9-të radhazi, por barazimi në Bergamo vlen!

Nuk e thotë kot Arrigo Saki që ky ekip vlen më shumë si lojë sesa pikët që ka në renditje. Interi u ndal në 50 pikë pas javës së 21-të të Serisë A, duke qenë vetëm 2 pikë mbi Milanin që ka luajtur po kaq sfida edhe pse do të luajë këtë të hënë. Përtej faktit që kuqezinjtë mund të ngjiten në vend të parë me fitore në “San Siro” ndaj Specias, zikaltërit do të kishin një ndeshje më shumë në dorë për të luajtur. Barazimi 0-0 në fushën e Atalantës bëri që të mos arrihej fitorja e 9-të radhazi në kampionat, veçse askujt në Itali nuk i shkon ndër mend të thotë se ky nuk ishte një rezultat i rëndësishëm. Nuk është e lehtë të luash në Bergamo!

Vendasit ishin të fortë, ndërsa Berat Gjimshiti ishte në formacion siç pritej. Mbrojtësi i Shqipërisë luajti mirë (nota 6), ndonëse të dyja skuadrat patën raste dhe portierët Handanoviç e Muso bënë pritje shpëtimtare. Interi bëri më shumë me topin, duke treguar më shumë autoritet (64 për qind zotërim) dhe pati 10 gjuajtje drejt portës ndaj 8 të bergamaskëve, veçse skuadra e Gasperinit gjuajti dyfishin në kuadrat, 6-3! Edhe kjo tregon diçka. “Një 0-0 me Inzagin diçka shumë e çuditshme, – tha Gasperini, – ne kemi bërë diçka më shumë se Interi”. Inzagi, për çudi ishte i ngjirur apo ndoshta i sëmurë pas ndeshjes dhe nuk mundi të fliste. “Na vjen keq për 0-0, – tha ndihmësi i tij, Farris, – por, kemi respekt për Atalantën”. Kapiteni Handanoviç theksoi se “nuk kemi presion edhe nëse Milani fiton dhe na kalon në renditje”.

Sfidanti.al