Fitorja ishte e vogël, por paraqitja e madhe. Mbrojtësi i qendrës i kombëtares së Shqipërisë ishte më i dalluari për Romën në suksesin 1-0 ndaj Kaljarin në Serinë A, duke u vlerësuar me notën 6.5. “La Gazeta delo Sport”, por edhe mediat e tjera italiane, theksuan se “Kumbulla u ngjit mbi të tjerët”, ndërsa po 6.5 mori sulmuesi armen, Henrik Mkitarian, që u vlerësua për “inteligjencë superiore”, si dhe portieri Rui Patrisio. Goli i fitores për ekipin e Zhoze Murinjos u shënua nga Sergio Oliveira me penallti në 33’, ndërsa verdhezinjtë janë tani në vend të 6-të në renditjen e kampionatit me 35 pikë në 22 ndeshje, po aq sa Lacio veçse 6 pikë prapa Juventusit që është i pesti. “Ndeshje shumë e vështirë, – tha Murinjo më pas, – mund të fitonim 5-0, por edhe mund të ndëshkoheshim me 1-1”.
Vlerësim i lartë edhe për Nedim Bajramin, që mori notë 6.5 për paraqitjen e tij në ndeshjen e Serisë A, Venecia-Empoli (1-1). “Në këmbët e tij kaluan gjithë aksionet e rëndësishme të Empolit, – shkruan “Eurosporti” për mesfushorin kuqezi, – lëvizshmëri e madhe dhe shumë i paparashikueshëm në veprime. Ndoshta, pak i pasaktë në fazën realizuese”. Notë e mirë edhe për mbrojtësin e Shqipërisë, Ardian Ismajli që mori 6, ndërsa mesfushori Kristijan Asllani nuk u vlerësua për 12 minuta në fushë.
Sfidanti.al