Përfundoi ashtu siç pritej përballja e Kupës së Shqipërisë mes Kukësit dhe Tiranës. Më shumë rëndësi sesa rezultati 0-0 pati fakti që u kualifikuan kryeqytetasit, ashtu siç thoshin “gojët e liga” përpara ndeshjes. Dyshimet për një tjetër aleancë në futbollin shqiptar u bënë më të forta, pas suksesit të Kukësit në fushën e Tiranës në kampionat, dhe kualifikimit të tiranasve në dëm të kuksianëve në kupë.
Për habi të madhe të dy trajnerët kishin hedhur në fushë shumë lojtarë të stolit, me Gjokën që nuk aktivizoi Pejiçin dhe Eminin, por po ashtu edhe portierin Koliçi dhe qendërmbrojtësin Shameti. Josa nga ana e tij nuk pati Ilion Likën, Gentian Muçën, Teqjen. Loja ishte e dobët dhe dy ekipet që u kujdesën të gjuanin pak drejt portës, edhe kjo vetëm në pjesën e parë.
Në Korçë, gjithsesi, këtë herë dyshimet dolën pa baza (duhet parë si do të shkojë në gjysmëfinale). Kampionët mundën Laçin me rezultatin e tyre të preferuar të vitit 2017, 1-0, po aq sa kishin fituar me Flamurtarin, Korabin në Elbasan dhe ndaj Laçin, që të gjithë këta takime të Superligvës.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Gavazaj në minutën e 57-të, ndërsa trajneri i Skënderbeut, Daja, ashtu siç kishte premtuar, kishte hedhur në fushë lojtarët më të mirë, që nga portieri Shehi, deri tek Latifi apo Salihi.
Në ndeshjen tjetër Besëlidhja hyri në histori duke u kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës, pasi eleminoi një tjetër ekip të Superligës, Flamurtarin, ndërsa një tur më herët kishte mundur Partizanin. Pritet edhe ndeshja Teuta-Vllaznia (0-1 në Shkodër) për t’u plotësuar katërshja gjysmëfinaliste dhe për të parë sesi do të jetë shorti. Ndoshta, dëshira do të jetë që në gjysmëfinale të ndeshen Skënderbeu dhe Tirana.
Sfidanti.al