Nota e tij në gjysmën e parë të sezonit në Angli ishte 8 nga 10 e mundshme. E shkëlqyer për moshën 20-vjeçare. Armando Broja është shënuesi më i mirë i Sauthemptonit këta muaj, dhe po ashtu shënuesi më i mirë në elitën angleze për lojtarët moshatare. Analistë, shokë të skuadrës dhe tifozë i parashikojnë një të ardhme të madhe, ndërsa trajneri Ralf Hazenhytl po bëhet gati të bisedojë me Çelsin, që mban kartonin e shqiptarit. Sipas mediave në ishull, tekniku austriak dëshiron t’ia blejë përfundimisht kartonin Brojës, që besohet se kushton mbi 8 milionë paundë stërlina, apo rreth 10 milionë euro. Nëse nuk do t’ia dalë me këtë plan ambicioz, ai do të përpiqet ta zgjasë huazimin edhe për sezonin që vjen.
Ky është Armando Broja që pasqyrohet nga Anglia, ndërsa kur dëgjon se çfarë karakteristikash ka për të trajneri i kombëtares, Edi Reja, mendon se mos kemi të bëjmë me një lojtar tjetër. “Ai duhet të ndryshojë sjelljen ndaj grupit, të bëhet i dashur me grupin për sjelljen që ka dhe sidomos për mentalitetin”, – ishte “goditja” e italianit për 20-vjeçarin. Nga një lojtar tepër të dashur për grupin në Angli, dhe jo të dashur tek Shqipëria, kjo është vërtet një “shaka për ariun”.
Sfidanti.al