Pas një përplasjeje të ashpër në distancë, që krijoi jo pak probleme tek blutë e Londrës, duket se situata me Romelu Lukakun po qetësohet. Që nga zërat për një largim të mundshëm për tek Interi apo Totenhemi, dalin lajmet se ka pendesë, se sulmuesi i ka thënë trajnerit se u nxitua me fjalët e tij (edhe pse duhet t’i ketë theksuar sy më sy se dëshiron të luajë), dhe se u provokua nga intervistuesi. Kjo seri e “filmit Ndërgjegja”, si dikur filmi i Kinostudios “Shqipëria e Re”, ka bërë që Tomas Tuheli t’ia zgjasë Romelut dorën e bashkëpunimit dhe ta përfshijë në skuadër për ndeshjen e fortë të fundjavës ndaj Totenhemit në “Stemford Brixh”. Lukaku u përjashtua nga ekipi për ndeshjen ndaj Liverpulit që përfundoi 2-2, ndërsa Çelsi ka mbetur larg Mançester Sitit në garën për titull.
Sfidanti.al