Ishte një humbje që e largoi ndoshta përfundimisht skuadrën e kuqe nga pretendimet për titull këtë sezon. Ishte vetëm 0-1 në Shkodër, por që e la plot 12 pikë prapa Tiranës kryesuese, dhe në një kampionat të tillë duket vështirë që kjo diferencë të zhbëhet. Vllaznia triumfoi minimalisht në “Loro Boriçi” duke luajtur një pjesë të parë mjaft të mirë, e duke vuajtur pas pushimit, por duket se ia ka marrë dorën rezultateve me kryeqytetasit. Vendosi goli i Latifit, pavarësisht pritjeve të Teqjes, ndërsa në pjesën e dytë gjithçka u bë e vështirë kur Krymi doli me të kuq në 68’. Për gati 30 minuta Partizani bëri presion, veçse nuk arriti të shënonte, ndërsa skuadra e trajnerit Brdariç goditi edhe shtyllën në nisje të pjesës së dytë. Pas kësaj ndeshjeje, trajneri i të kuqve, Daja, u shpreh se “askush nuk e ka mbyllur Vllazninë në gjysmëfushën e saj në Shkodër siç bëmë ne”. Ai nënkupton se Partizani vazhdon të luajë mirë sesa rivalët, por gjithsesi ka shumë më pak pikë.
Java 12: Vllaznia-Partizani 1-0, Skënderbeu-Eganatia 2-0, Tirana-Kastrioti 3-0, Dinamo-Teuta 0-1; Të enjten: Kukësi-Laçi.
Renditja: Tirana 27 pikë, Kukësi 23 (-1), Vllaznia 20, Teuta 17, Laçi 15 (-1), Partizani 15, Dinamo 13, Skënderbeu 11, Egnatia 11, Kastrioti 5.
Sfidanti.al